Ish-ministri i Jashtëm, Arian Starova, thotë se është befasuar nga vendimi i SHBA për të shpallur non grata ish-kryeministrin Sali Berisha. Në studion e lajmeve të MCN TV, Starova tha se i mbetet kohës të zbardhë akuzën mbi të cilën ngrihet ky vendim.
Nuk bëhet fjalë për të vërtetën e Berishës. Bëhet fjalë për një të vërtetë që lidhet me sjelljen e demokracisë në Shqipëri. Nuk është kaq e thjeshtë dhe në kuadrin pozitiv, më ka befasuar ky vendim që si shembull i korrupsionit na del Berisha. Ai ka qenë faktor që ka ndikuar në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Më duket çudi sesi kaq papritur u shndërrua në simbol të së keqes.
Berisha mund të ketë të meta, por me këtë lloj akuze... Mbetet të shikojmë kohën që do të japë të vërtetat e veta. Ai burrë ka bërë shumë për Shqipërinë dhe për shumë shqiptarë dhe ka bërë aq shumë me SHBA.



