
Partitë e ekstremit të djathtë dhe atij të majtë fituan më shumë se gjysmën e votave në zgjedhjet për qeverinë lokale të shtetit të Thuringias në Gjermaninë lindore. Ndërsa kristiandemokratët e kancelares Angela Merkel u tkurrën dukshëm, duke u renditur të tretët.
Partia e ekstremit të majtë Die Linke ruajti mbështetjen e saj, duke siguruar vendin e parë me 31 për qind të votave, pjesërisht edhe falë popullaritetit të kryeministrit të shtetit Bodo Rameloë, sipas rezultateve paraprake. Ndërkohë, e djathta ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) forcoi mbështetjen e saj te votuesit duke u renditur e dyta me 23.4 përqind, me më shumë sesa dyfishin e votave që ka marrë në zgjedhjet e fundit të 2014-ës.
Zgjedhjet sollën një goditje të rëndë partitë tradicionale, partitë e qendrës, përfshirë kristiandemokratët e Merkelit (CDU) dhe partnerët e saj të koalicionit kombëtar, Socialdemokratët (SPD). CDU ra në vendin e tretë me 21.8 për qind (në vitin 2014 mbante vendin e parë) - ndërsa PSD zbriti shumë poshtë vendit të katërt me rreth 8 për qind.
Të Gjelbërit dhe Demokratët e Lirë (FDP) fituan rreth 5 për qind secila, mjaftueshëm për kaluar pragun e hyrjes në parlamentin lokal.
Zgjedhjet në shtetin e pak më shumë se 2 milionë pritet të kenë ndikim të kufizuar në nivel kombëtar pasi Thuringia është një rajon rural me qytete të vogla. Sidoqoftë, rezultati do të thotë që përpjekjet për të ndërtuar një koalicion do të jenë të vështira dhe do të vënë në provë vijat e kuqe të partive. Koalicioni i mëparshëm i përbërë nga Die Linke, SPD dhe të Gjelbrit tani nuk ka më shumicën.



