
Maqedonia e Veriut është duke zhvilluar zgjedhjet për pushtetin lokal këtë të diel, ku për herë të parë aplikohet pajisja për leximin e gishtave.
Ndërkohë në lidhje me këtë proces raportohet se në 5 vendvotime ka pasur probleme teknike, për këtë dhe më tepër në një intervistë përmes “Skype” ka folur gazetari nga Maqedonia e Veriut, Nazim Rashidi.
Rashidi u shpreh për MCN TV se në këto qendra votimi ku është hasur probleme me aparatin e identifikimit të gishtit është proceduar në mënyra të tjera.
Lidhur me arrestimin e 4 personave për blerje të votave, Rashidi u shpreh se kjo ka shkaktuar tension mes subjekteve politike.
Intervista:
Z. Rashidi, ju vetë votuat?
Procesi votimit zgjat deri 19:00 dhe ka ende kohë për të votuar.
Çfarë problematikash keni evidentuar ju vetë dhe cilat janë shqetësimet kryesore që po raportohen atje?
Problemi kryesor është pajisja e identifikimit të gishtave dhe jo gjithmonë këto funksionojnë. Aparatet e tilla merren për të kuptuar nëse ka mashtrime, por nëse aparati nuk funksionon mund të votohet dhe në forma të tjera. Anëtarët e komisionit verifikojnë identitetin he më pas procedojnë më tej.
Sipas rregullave zgjedhore ende nuk është dhënë asnjë deklaratë në media pasi heshtja zgjedhore zgjat deri në orën 19:00.
Të shtunën, policia ka arrestuar katër persona të dyshuar për shpërndarje të parave për blerje të votave. A ka patur dhe raste të tjera?
Jo, deri më tani. Ka një lloj tensioni, pasi subjektet politike akuzojnë se mund të ndikojnë procesin dhe nga ana tjetër këto pretendime janë hedhur poshtë. Ajo që mund të thuhet është se dy ditët e fundit.
Deri dje dhe sot u shfaqën këto tensione dhe para saj kishte premtime reale për qytetarët. Ofertat ishin rrugë, gjetja e zgjidhjeve të qenve, kanalizimet, parkingjet, ndërkohë tani po krijohet tensioni me akuzat për blerjet të votave.
Gara kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike; LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet dhe partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Partitë shqiptare garën do ta zhvillojnë për qytetet me shumicë shqiptare, si Tetovë, Gostivar, Çair, Kërçovë, Strugë, Dibrë si dhe disa komuna rurale. Çfarë presin qytetarët e këtyre komunave të ndryshojë atje?
Sigurisht, kur shikon premtimet jo të gjithë kanë pasur premtime fantastiko-shkencore por kishte dhe realiste. Kishte premtime dhe të autobusëve fluturuese, por njerëzit kërkojnë zgjidhje të problemeve të tyre të përditshme.
Si rrallë herë këtë vit kishte pasur dhe lista të pavarura për të hyrë në komuna, si këshilltarë. Rezultatet në fund do të tregojnë sa të suksesshme ishin këto lista.
Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha si Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi. Ju kë parashikoni që të dominojë?
Mendoj që në zgjedhjet lokale problemet e qytetarëve janë të njëjta. Do të ketë raund të dytë në shumicën e qyteteve. Pas raundit të dytë do të shihet kush ka fituar më shumë qytete. Numërimi i votave do të jetë një pasqyrë se në çfarë drejtimi ka shkuar elektorati. Më e qartë do të jetë pas dy javësh ku do të ketë një raund të dytë.



