
Më 6 dhjetor do zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku 27 liderët e BE do mblidhen në Tiranë.
Lidhur me këtë në studion e lajmeve në MCN TV ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo deklaroi se ky takim është i rëndësishëm në kontekstin gjeopolitik.
Ai e konsideroi edhe historik, pasi do e bëjë Tiranën të njohur në arenën ndërkombëtare, por siç thekson Milo nuk duhet që ky samit të përdoret për qëllime politike të ditës.
Është takim i rëndësishëm së pari që bashkon udhëheqësit e BE me ata të Ballkanit Perëndimor. Nuk bëhet për herë të parë një takim i këtyre përmasave, por e rëndësishme është që bëhet në këtë fazë dhe e dyta se bëhet në Tiranë dhe së treti bëhet në një kontekst gjeopolitik që është shumë i rëndësishëm për Evropën që kërkon unitet sa më të fortë të Evropës pavarësisht nëse janë apo jo anëtar të BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë rast të gjithë janë të interesuar që të marrin pjesë në këtë samit sepse do përcjell mesazhe të rëndësishme për këto vende dhe BE s’mund të vijë pa pasur disa letra të çmuara për mbështetje për Ballkanin perëndimor.
Më tej Milo, sqaroi se ky takim mund të konsiderohet edhe historik për një çështje, pozicion, ose një takim në rangun e mjaft takimeve të tjera të bëra në Ballkanin Perëndimor mes BE dhe vendeve tona.
Mua më kujtohet samiti i Sofjes, atje ku u diskutuan probleme të integrimit të Ballkanit perëndimor. Ka pasur takime në Zagreb, për ne për Shqipërinë është shumë e rëndësishme le të themi dhe historike sepse për herë të parë 27 kryetarë do vijnë të diskutojnë dhe problemet e integrimit, pastaj merr dhe kontekstin gjeopolitik që është krijuar në Evropë për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, pra të gjitha bashkë do e bëjnë të shumë të njohur në arenën ndërkombëtare dhe më shumë e njohur falë mesazheve që do përcillen në këtë takim. Duhet të jemi të qartë për atë çfarë kërkojmë, dhe nuk duhet ta përdorim për qëllime politike të ditës.
I pyetur se cila është axhenda e këtij takimi dhe çfarë mesazhi përcjell ky samit për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE, Milo tha se duhet të jepen gjëra të pjekura dhe që do i hapin një perspektivë këtyre vendeve në bazë të meritave dhe mundësive që kanë, ndërsa shtoi se mesazhi në vetvete është mbështetja e BE ndaj Ballkanit Perëndimor.
S’ka kuptim të vish në Ballkanin Perëndimor pa dhënë mesazhe. Duhet të jepen gjëra të pjekura dhe që do i hapin një perspektivë vendeve të Ballkanit perëndimor në bazë të meritave dhe mundësive që kanë. Ata duhet të diskutojnë çfarë progresi ka bërë Shqipëria, si do stimulohet më tej. A do i jepet Kosovës liberalizimi i vizave apo jo? A do ketë njohje nga ndonjë vend evropianë që se ka njohur Kosovën deri tani? Në tërësi fakti që bëhet mbledhja në Tiranë, në një kryeqytet të një vendi të Ballkanit perëndimor vetë ky është mesazh që dëshmon kujdesin e BE për Ballkanit perëndimor. Ky është mesazh.



