Arben Ahmetaj, mund të konsiderohet si njeriu i emergjencave në Qeveri. Përveç menaxhimit të procesit të rindërtimit pas pasojave të tërmetit të 26 nëntorit, ministri i Shtetit për Rindërtimin do të drejtojë dhe koordinojë punën mes ministrive dhe institucioneve për përballimin e situatës pas pandemisë së koronavirusit. Ahmetaj, do të ketë në dorë tani edhe burimet financiare për përballimin e kësaj situate, madje edhe mekanizmat e gjetjes dhe përthithjes së këtyre parave.
Në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Ministrave, është përgjegjës për :
a ) koordinimin, drejtimin dhe ndjekjen e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID - 19;
b ) evidentimin e burimeve të brendshme, financiare dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të akteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;
c ) evidentimin e burimeve financiare të jashtme dhe përcaktimin e mënyrës së përthithjes së tyre, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID - 19 dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të akteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;
ç ) koordinimin dhe drejtimin e strukturave e të njësive, shtetërore dhe publike, të ngarkuara drejtpërdrejt për kryerjen e detyrave, për zbatimin e planit të përballimit të situatës ekonomike, të shkaktuar nga infeksioni COVID - 19;
d ) prezantimin e gjendjes dhe të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID - 19;
e ) përgatitjen dhe propozimin e projekteve, të përgjithshme e të veçanta, si pjesë të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni Covid-19.
ë ) koordinimin dhe drejtimin e punës si dhe rekomandimin e institucioneve për përgatitjen dhe paraqitjen për miratim në Këshillin e Ministrave të projektakteve , ligjore e nënligjore , për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID - 19;
f ) nxitjen, bashkërendimin dhe dhënien e mendimit përprojektaktet që propozohen nga ministritë, të cilat trajtojnë, ndër të tjera, edhe çështje me interes ose brenda fushës së përgjegjësisë së tij;
g ) thirrjen për raportim të strukturave të cilat kanë lidhje me situatën ekonomike të shkaktuar nga infeksioniCOVID – 19.



