Donald Trump nuk po nxitohet për një sulm të mundshëm ndaj Iranit dhe duket se po hap derën për negociata të reja me Teheranin. Presidenti Trump duket se e ka shtyrë vendimin për t'i dhënë dritën jeshile një ndërhyrjeje ushtarake për momentin, duke rezervuar të drejtën për të marrë një vendim brenda 15 ditëve, me bindjen se rruga diplomatike jo vetëm që është ende e zbatueshme, por edhe e vetmja për të shmangur tërheqjen e Amerikës në një konflikt tjetër me një rezultat të pasigurt.
"Donald Trump do të vendosë nëse do ta sulmojë apo jo Iranin në dy javët e ardhshme", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke mohuar thashethemet se Shtetet e Bashkuara ishin gati të sulmonin në 24-48 orët e ardhshme. Por ajo paralajmëroi gjithashtu se Teheranit do t'i duheshin vetëm dy javë për të prodhuar bombën atomike.
Që kur u kthye herët nga samiti i G7, Donald i ka kaluar ditët i mbyllur në Dhomën e Situatave me mbështetësit e tij më besnikë. Dhe me sa duket, pas një shqyrtimi të kujdesshëm me anëtarët më të rëndësishëm të qeverisë së tij, inteligjencën dhe udhëheqësit ushtarakë, ai ka vendosur t'u japë negociatave një shans tjetër. Për presidentin, mundësia e një marrëveshjeje me Teheranin është "ende e konsiderueshme", theksoi zëdhënësja, duke konfirmuar se në fakt kontaktet midis Uashingtonit dhe Iranit nuk kanë ndaluar as pas fillimit të sulmeve nga Izraeli, dhe se i dërguari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka folur disa herë në telefon me Ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi.
"Trump ka instinkte të pabesueshme dhe e ka mbajtur Amerikën të sigurt në mandatin e tij të parë. Askush nuk duhet të habitet nga qëndrimi i tij ndaj Iranit", shtoi zyrtari, duke përsëritur se "prioriteti" i presidentit është të mos lejojë që Irani të ketë një armë bërthamore. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Teheranit do t'i duheshin vetëm dy javë për ta prodhuar atë: "Ai ka gjithçka që i nevojitet për ta prodhuar, gjithë çfarë duhet është një vendim nga udhëheqësi suprem dhe do të duhen disa javë për të përfunduar prodhimin e asaj arme". Kjo është arsyeja pse Uashingtoni paralajmëroi gjithashtu se presidenti është një "paqebërës", por në të njëjtën kohë ai nuk ka "frikë të përdorë forcën".



