
Rënia e shitjeve të duhanit po e detyron gjigantin e cigareve “Marlboro” të kërkojë mundësi të reja për të bërë biznes. Kompania është në bisedime me prodhuesin kanadez të marijuanës “Cronos”.
Në këtë mënyrë, “Marlboro”, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të cigareve, po përpiqet të diversifikojë biznesin e saj, duke shkuar përtej konsumatorit tradicional të produkteve të saj.
Muajin e kaluar, Wall Street Journal njoftoi se pronari i “Marlboro”-s ishte duke negociuar blerjen e aksioneve të një kompanie start-up për cigaret elektronike JUUL.
Në fund të qershorit, qeveria kanadeze miratoi legalizimin e marijuanës rekreative në vend. Kanadaja po shihet si terren testimi për bizneset e marijuanës që po kërkojnë të zgjerohen në nivel global pasi vende të tjera të ndjekin shembullin e saj.
Disa shtete të SHBA e kanë legalizuar marijuanën rekreative dhe mjekësore. Kongresi amerikan pritet të kalojë një ligj që do të lejojë prodhimin e kërpit. Kjo mund t’u hapë rrugën disa produkteve të tjera që kanë lidhje me marijuanën, që përmbajnë kanabidiol, një ilaç natyral popullor i përdorur për shumë sëmundje.



