Gazetari Mariglen Kume tha në “Mcn Informacion” se me lëvizjen që doli nga lista e mbyllur e kandidatëve për deputetë, Ilir Meta tregoi se është një politikan race. Sipas Kumes Meta me gjasa do të dalë deputet, çka do t’i japë PL-së minimumi 5 ligjvënës.
“Z.Meta tregoi edhe njëherë që është politikan race. E kam thënë i bindur në panele se në 2025-ën PL do të dalë me më shumë mandate seç ishte në 2021-shin. Lëvizje e zgjuar këtu, i ka bërë shah mat, sepse në Tiranë PL do ketë dy emra të sigurtë, dhe patjetër PL i ka votat edhe në ditën më të keq për të nxjerrë mandatin në listën e hapur. Këtu garon një për të bërë 15 mijë vota ndërsa PD i ka të hapërdara sepse do jenë disa emra që marrin vota. Me të gjitha gjasat Ilir Meta del deputet, dhe PL del minimum me 5 deputetë”.
Kume kritikoi faktin që në PD nuk po përfillen votat e marra nga kandidatët në primare.
“Çfarë frymëzimi bën opozita, kur Berisha dy javë më parë bëri primaret, dhe ajo që po shohim dhe kemi dëgjuar deri tani, është që primaret s’kanë pikën e rëndësisë. Hysen Kadiu është më i votuari në Tiranë dhe është jashtë. Grigels Muçollari që ka marrë po ashtu shumë vota, është jashtë. Jorida Tabaku sipas të gjitha gjasave do jetë në listë të hapur”.
Kume vuri në dukje se Kodi Zgjedhor është totalisht disfavorizues për opozitën.
Gazetari mendon që në këto zgjedhje do kemi forca të reja që do hyjnë në Parlament.
"Pas shumë viteve në këto zgjedhje duket se do ketë hapësira për forcat e reja. Janë shumë të disfavorizuar, edhe nga Kodi Zgjedhor, edhe nga sistemi. Një parti duhet të marrë njëherë 15-18 mijë, që duhet të kalojë pragun kombëtar 1 për qind, dhe më pas të futet në garën për mandat. Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje që janë bashkë, duket se kanë një farë mbështetje. Por në fund komisionerët të bëjnë gjëmën. Unë besoj se këtë herë do kemi forca të reja që do hyjnë në Parlament. Ata shpresojnë që të gjithë bashkë të bëjnë një grup parlamentar, që do të thotë 7 deputetë".



