
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se marrëveshja me Italinë për emigrantët është bërë sipas axhendës së Edi Ramës.
Në MCN Live, Mediu tha se nevojitet transparencë dhe një diskutim institucional për çështjen e emigrantëve.
Ka vetëm një axhendë të Edi Ramës, kjo është evidente. Kemi shtet që është kthyer në Republikë kryeministrore, s’ka as parlament që të kryejë detyrimet kushtetuese. Kemi një kryeministër qe i merr vendimet sipas interesave. Çështja e emigracionit është çështje e debatueshme në të gjithë botën. Ka disa aspekte, është e lidhur dhe ana e sigurisë dhe i vetmi vend që nuk e merr me seriozitet sigurinë jemi ne. Nuk diskutojmë kush janë elementët pozitivë dhe negativë. Jemi të vetmit që jemi indiferentë në raport me këtë çështje.
Duhet transparencë, duhet diskutim institucional.
Këto nuk janë çështje të axhendës së një individi, por janë çështje të një axhende shtetërore.
Më tej, Mediu tha se duhet të ketë një trupë negociuese në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Sipas Mediut, eksponentë të ndryshëm kanë marrëdhënie personale dhe angazhohen në aktivitetet ndërkombëtare, por sipas tij raportet duhet të institucionalizohen.
Kemi figura që nga pikëpamja personale angazhohen në aktivitetet ndërkombëtare dhe në Parlamentin Europian dhe në Komisionin Europian dhe me Partitë Konservatore Europiane. Po them që kemi nevojë ta institucionalizojmë pak, ta kthejmë nga një marrëdhënie personale në një raport opozitar.
Nëse shkojmë jashtë për të treguar sa të mirë jemi personalisht s’kemi bërë as 1% të asaj pune që ka nevojë opozita. Opozita ka nevojë që në raport me Partitë Popullore Europiane, në raport me Partitë Konservatore Europiane, me IDU, me Bundestagun, me PE të shkojë me një organizim politik të qenësishëm për të krijuar një narrativë të qëndrueshme se kush është pozicioni ynë me zhvillimet ndërkombëtare, por edhe duke këmbëngulur që mungesa e funksionimit demokratik të Shqipërisë, problemet e zbatimit të Kushtetutës janë të dëmshme dhe në planin ndërkombëtar dhe rajonal të një vendi anëtar të NATO-S.
Kjo kërkon që ne të kemi një trupë negociuese, ku ne që kemi një lloj raporti apo historie me marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ndihmojmë. Një trupë që vjen në emër të opozitës, kontakton në emër të opozitës, e sjell informacionin në emër të opozitës dhe e elaboron në emër të vendit.



