Rritja e fortë e çmimeve të produkteve ushqimore po prek gjithnjë e më shumë buxhetet familjare, ndërsa ndikimet e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe zhvillimeve globale në energji po reflektohen drejtpërdrejt në tregun vendas.
Nga produktet bazë të shportës deri te imputet bujqësore, kostot janë në rritje, duke shtuar presionin mbi fermerët dhe konsumatorët.
Në një analizë për “MCN Economy”, ekspertët e sektorit bujqësor Fatos Fico dhe Eduard Sharka theksojnë se situata aktuale është rezultat i një zinxhiri kompleks faktorësh, ku energjia luan rolin kyç.
Sipas Fatos Fico, rritja e çmimeve të ushqimeve është e lidhur drejtpërdrejt me kostot e energjisë dhe veçanërisht të naftës.
Çmimi i domates është një tregues i gjithë asaj që po ndodh në realitet. Prodhimi ushqimor është i bazuar mbi energjinë. Nafta përdoret për traktorët, pesticidet dhe plehrat kimikë. Nëse rritet energjia, do të rriten edhe ushqimet. Është një zinxhir i gjatë që kërkon ndërhyrje në shumë hallka.
Ai thekson se situata është përkeqësuar nga kufizimet në tregjet globale të naftës dhe plehrave kimikë, të lidhura me tensionet gjeopolitike.
Sot ndodhemi në një situatë të paprecedentë, ku rreth 20% e naftës në tregun e lirë nuk arrin të dalë në treg. Ndërkohë, vendet prodhuese si Irani, Katari apo Emiratet janë edhe prodhuesit kryesorë të plehrave kimikë, dhe bllokimet kanë ndikim të drejtpërdrejtë. Nëse nuk ndërhyn qeveria, çmimet mund të dyfishohen.
Nga ana tjetër, Eduard Sharka argumenton se, përtej faktorëve globalë, një pjesë e madhe e rritjes së çmimeve lidhet me problemet e brendshme të tregut dhe politikat fiskale.
Rritja e çmimit të energjisë ndikon, por 400 lekë për kilogram domate është një çmim i ekzagjeruar, pasi është prodhuar me kosto të mëparshme. Kjo tregon dobësinë e politikave bujqësore dhe mungesën e kontrollit në tregun informal që zë 80%.
Ai thekson se oferta është tkurrur për shkak të kostove të larta dhe mungesës së mbështetjes për fermerët, duke çuar në rritje të çmimeve.
Fermerët po tërhiqen sepse sektori nuk është rentabël. Nëse vazhdohet kështu, do të kemi më pak prodhim vendas dhe më shumë varësi nga importet, duke pranuar automatikisht çmime më të larta.
Një nga shqetësimet kryesore që ngre Sharka është niveli i lartë i TVSH-së në Shqipëri krahasuar me rajonin dhe Bashkimin Evropian.
Evropa ka një TVSH rreth 9%, vendet e rajonit 4-5%, ndërsa tek ne shkon deri në 20%. Kjo ka një ndikim të jashtëzakonshëm në çmimet e ushqimeve. Qeveria duhet të ndërhyjë për të lehtësuar barrën mbi konsumatorin.
Të dy ekspertët bien dakord se ndërhyrja e politikave publike është e domosdoshme për të frenuar rritjen e mëtejshme të çmimeve, ndërsa paralajmërojnë se pa masa konkrete, situata mund të përkeqësohet në muajt në vijim.



