
Policia greke përdori dje gazin lotsjellës për të shpërndarë një grup protestuesish në Selanik, ku ishte parashikuar që kryeministri Aleksis Cipras të mbante një fjalim. Demonstruesit protestuan kundër marrëveshjes së arritur pak muaj më parë mes Greqisë dhe Ish-Republikës Jogosllave të Maqedonisë për çështjen e emrit.
Në qershor të këtij viti, Athina dhe Shkupi arritën një marrëveshje që i jep fund një konflikti mes dy vendeve në lidhje me emrin Maqedoni. Por kjo ka ngjallur zemërim te shumë qytetarë grekë.
Në protestën e së shtunës në Selanik, ata mbanin në duar flamujt e Greqisë. Nuk kanë munguar përplasjet me forcat e policisë, të cilat u detyruan të përdornin gazin lotsjellës.
Sipas burimeve policore, numri i protestuesve i kalonte 15 mijë.
Demonstrata të veçanta, të organizuara në Selanik, ishin planifikuar që të përkonin me Panairin Vjetor të këtij qyteti, ku kryeministri Cipras pritej të fliste për uljen e taksave.
Të shtunën kancelarja gjermane, Angela Merkel, u kërkoi maqedonsve bëjnë të mundur zbatimin e marrëveshjes me Greqinë, duke e mbështetur në referendumin e parashikuar më 30 shtator, çka do të sigurojë anëtarësimin e vendit në NATO dhe pranimin në BE.
Athina ka pasur mosmarrëveshje me Shkupin që nga viti 1991 në lidhje me emrin Maqedoni, i cili për grekët mund të nënkuptojë pretendime territoriale mbi krahinën e saj me të njëjtin emër dhe shihet si përvetësim i kulturës dhe qytetërimit të lashtë grek.
Sipas marrëveshjes së arritur në qershor mes kryeministrave Cipras dhe Zaev, emri i ri do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut.



