
Ish-prokurori Eugent Beci, në një intervistë për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN, kritikoi arrestimin e avokatit Ulian Bajrami, i cili u akuzua për kërcënim ndaj prokurorit. Sipas tij, brenda sallës së gjyqit prokurori është një palë e barabartë me avokatin, dhe çdo masë duhet të udhëhiqet nga gjyqtari, jo nga policia apo prokurori.
Beci theksoi se ndalimi i Bajramit pa miratimin e prokurorit ishte i parregullt ligjërisht, pasi nuk ekzistonte rrezik real për arratisje dhe nuk kishte prova për një vepër penale. Urdhri i lirimit të menjëhershëm tregoi qartë se nuk kishte bazë ligjore për arrestim.
Ai shtoi se decentralizimi i plotë i prokurorisë ka krijuar mungesë koordinimi dhe fragmentim të kompetencave, duke dëmtuar balancën mes gjykatës dhe prokurorisë. Reforma, që synonte pavarësinë, sipas tij, ka sjellë probleme serioze në funksionimin e sistemit gjyqësor.
“Që prej vitesh, sapo kalon derën e sallës së gjyqit, prokurori bëhet një palë e barabartë me avokatin.
Për këtë arsye, nga pikëpamja proceduriale, është gjykata ajo që duhet të mbajë ekuilibrat në sallën e gjyqit, së bashku me prokurorin.
Pavarësisht nga ajo që ka ndodhur deri në momentin e seancës, sapo çështja kalon për gjykim, prokurori është në të njëjtin pozicion me avokatin.
Çdo kërkesë apo informacion që paraqet, mbart të njëjtën përgjegjësi si pala tjetër.Për këtë arsye, debati i vërtetë gjyqësor zhvillohet në sallën e gjyqit, ashtu siç parashikohet nga Kodi i Procedurës Penale.
Në sallën e gjyqit, gjyqtari është autoriteti që vendos për rendin, qetësinë dhe gjithçka që ndodh brenda saj.
Në kushte normale, kjo nuk duhet të përbëjë shqetësim për asnjërën palë.
Megjithatë, problemi kryesor në këtë rast nuk është prokurori që ka bërë kallëzim, por gjykata.Sipas neneve 341 dhe 342 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata duhej të kishte vepruar me më shumë autoritet për të ruajtur rendin, qetësinë dhe solemnitetin e sallës.
Nëse konstatohet një vepër penale gjatë seancës, është gjykata ajo që vendos për ndërhyrjen.
Nuk është as prokurori, as policia që merr masa brenda sallës së gjyqit.Mund të ndodhë që të jenë të pranishëm oficerë të policisë gjyqësore apo shefa krimesh që thonë: “E dëgjova dhe më duket sikur e kërcënoi prokurorin avokati.”
Por harrohet fakti që në sallën e gjyqit prokurori është thjesht “avokati i opinionit publik”.
Ai nuk është më organ akuzues, por një palë e barabartë në proces.Prandaj, çdo pretendim për “kërcënim” duhet të trajtohet me kujdes.
Kërcënimi është një vepër penale e përcaktuar qartë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.
Ligjërisht, ai duhet të jetë i menjëhershëm, serioz dhe të krijojë bindjen se do të realizohet për të dëmtuar jetën apo pronën e tjetrit.
Në këtë rast, nuk ekziston asnjë element që të përbëjë vepër penale të kanosjes.Në sallën e gjyqit, vetëm gjyqtari mund të konstatojë nëse ekziston një vepër penale.
Nëse një ngjarje e tillë ndodh, është ai që urdhëron prokurorin dhe policinë gjyqësore të veprojnë dhe të nisin hetimet.
Ka pasur raste në të kaluarën kur gjyqtarë me integritet kanë ndërhyrë për të ndaluar veprime të padrejta, duke theksuar: “Prokuror, nuk mund të arrestosh ti dëshmitarin në sallën e gjyqit — këtu urdhëroj unë.”
Kjo është shenjë e profesionalizmit dhe e autoritetit të gjykatës.Nga ana tjetër, në rastin konkret, duhet sqaruar se si ka nisur çështja penale nga policia gjyqësore.
Ku është roli i prokurorisë në këtë proces?
Në aspektin ligjor, policia gjyqësore ka kryer një veprim që kufizohet me shpërdorim detyre, pasi ndalimi me iniciativë nuk mund të bëhet pa miratimin e prokurorit.
Të ndalosh një qytetar — qoftë edhe avokat — me arsyetimin se “mund të largohet”, pa urdhër të prokurorit, është veprim në kundërshtim me ligjin.Ndalimi me iniciativë nga policia gjyqësore lejohet vetëm kur ekziston rreziku real që personi të arratiset.
Në këtë rast, as veprën penale nuk e kishin të qartë, as komunikim me prokurorin e gatshëm nuk është provuar se ka pasur.
Nëse do të kishte pasur miratim verbal nga prokurori, atëherë nuk do të ishte dhënë më pas “urdhri i lirimit të menjëhershëm”.Ky urdhër jepet vetëm kur vepra penale nuk ekziston, kur personi është i pafajshëm ose kur ka ndodhur një ngatërrim.
Këtu nuk kemi asnjë nga këto raste, pasi personi ka qenë në sallën e gjyqit dhe fakti është i qartë.
Për më tepër, është absurd të regjistrohet vepra “goditje ndaj gjyqtarit”, kur nuk ka asnjë element konkret që ta mbështesë.Nga kjo situatë del qartë një problem më i thellë: Decentralizimi i plotë i prokurorisë ka krijuar kaos dhe mungesë koordinimi.
Nëse do të kishte ekzistuar një lloj centralizimi, tre prokurorët — drejtuesi, prokurori i seancës dhe ai i gatshëm — do të ishin mbledhur dhe do të kishin marrë një vendim të përbashkët.Sot, shumë prokurorë nuk kanë përvojë dhe nuk njohin procedurat e bashkëpunimit me policinë gjyqësore për shkak të reformës në drejtësi.
Kjo reformë, që synonte pavarësinë, në fakt ka sjellë një fragmentim që po prodhon pasoja të rënda.
Ka prokurorë që thonë: “Jam i pavarur dhe nuk i përgjigjem askujt,” edhe kur kjo sjell probleme sociale apo ligjore.Prandaj, reforma nuk ka krijuar një balancë të shëndetshme mes institucioneve.
Në këtë situatë, duhet reflektuar seriozisht për raportin mes prokurorisë dhe gjykatës, si dhe për mënyrën si po funksionon sistemi pas decentralizimit.”



