
Pas dy orësh seancë me dyer të mbyllura, Gjykata e Apelit ka vendosur të shfuqizojë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për masën “arrest shtëpie” ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili tashme do te hetohet ne gjendje te lire.
Kështu, pas dy javëve në arrest shtëpie, ish-ministri Tahiri është pa masë sigurie, pra rrjedhimisht i lirë.
Avokati Maks Haxhia në një prononcim për mediat, pas seancës të mbajtur për mbi dy orë pa praninë e gazetarëve tha se “përfundimisht Tahiri është pa masë”.
“Gjykata e Apelit shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Klienti im do të hetohet tani e tutje pa masë sigurie. Ishte një fitore sepse ka një praktikë të zgjeruar të gjykatës, që përcakton rastet dhe kriteret kur merret një masë sigurie”, u shpreh avokati Maks Haxhia.
Vendimi përfundimtar i gjykatës ishte shfuqizimi i vendimit nr 97 datë 12 maj 2018 dhe vendimit 101 datë 15.52018, ku u vendos masa e arrestit të shtëpisë dhe momentalisht Tahiri është pa masë sigurie, ndërsa avokati i Tahirit deklaroi se Prokuroria mbështeti qëndrimin e Shkallës së Parë.



