
Presidenti amerikan Donald Trump tha se bisedimet me Korenë e Veriut në Nju Jork kanë qenë shumë pozitive dhe ai pret që delegacioni nga Pyongyang të udhëtojë të premten në Uashington për t'i dhënë një letër atij nga udhëheqësi Kim Jong Un.
"Unë pres që të shoh atë që është në letër", tha Trump të enjten pasi ai la bazën ajrore Andrews për një udhëtim në Houston. I pyetur nëse një marrëveshje po merrte formë, Trump tha: "Mendoj se do të jetë shumë pozitive ... Takimet kanë qenë shumë pozitive".
Nëse delegacioni i Koresë së Veriut shkon në Shtëpinë e Bardhë, do të ishte vizita e parë atje nga zyrtarë të nivelit të lartë atje që nga viti 2000 kur Jo Myong Rok, një marshal, u takua me Presidentin Bill Clinton.
Trump tha se shpresonte se takimi i tij me Kim do të zhvillohej më 12 qershor siç ishte planifikuar fillimisht, por e la hapur mundësinë e bisedimeve se mbase edhe nuk mbahen, raporton Reuters.
"Dua që ajo të jetë kuptimplotë", tha ai, "Kjo nuk do të thotë se të gjitha të bëhen në një takim. Ndoshta duhet të kesh edhe takime të tjera ose edhe një të tretë. Ose ndoshta nuk do të kemi asnjë".
Pas dekadave të tensioneve në gadishullin Korean dhe antagonizmin me Shtetet e Bashkuara, Uashingtoni ka kërkuar që Koreja e Veriut të braktisë programin e saj të armëve bërthamore mes raportimeve se është në gjendje të nisë një raketë bërthamore të aftë për të arritur në kontinentin e SHBA.
Ndërsa krahu i djathtë i kreut të Koresë së Veriut Kim Jong-un është takuar me Sekretarin e Shtetit të SHBA Mike Pompeo në Nju Jork për të diskutuar rreth samitit historik.
Gjeneral Kim Yong-chol është duke drekuar me Pompeo pasi fluturoi nga Kina, dhe u takuan përsëri të enjten, pas takimit të tyre në Pyongyang.
Të mërkurën mbrëma, Pompeo dhe gjenerali Kim qendruan të veçuar në një ndërtesë pranë selisë së OKB-së, raporton BBC.
Në një mesazh në Twitter të mërkurën vonë, Pompeo shkroi: "Një darkë pune e mirë me Kim Yong Chol në New York sonte, biftek, misër dhe djathë në menu".




