Edhe pse presidenti i vendit Ilir Meta tha sot se do të jetë në detyrë deri në 24 korrik të vitit 2022, Partia Socialiste tashmë ka nisur procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit.
Deputetët e PS-së kanë marrë një mesazh në telefonat e tyre ku ftohen të firmosin propozimin për shkarkimin e presidentit.
“Të dashur kolegë, bazuar ne disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesine e Grupit Parlamentar kemi vendosur te iniciojmë Procedurën e Shkarkimit të Presidentit të Republikës. Për ketë qellim ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyrës se Grupit Parlamentar për të firmosur propozimin për shkarkimin e presidentit”, shkruhet në mesazhin e dërguar në telefonat e deputetëve.
PS-ja e akuzon Metën për shkelje gjatë fushatës zgjedhore por edhe para saj.
Presidenti tha sot në një konferencë për media se do të jetë në detyrë deri më 24 korrik të vitit 2022, kur ka siguruar se do të rikthehet për të marrë kartën e anëtarësisë së LSI-së.



