
Në orën 03:00 me orën tonë, hyri në fuqi armëpushimi në Liban pas dy muajsh luftë të hapur midis ushtrisë izraelite dhe organizatës libaneze Hezbollah.
Armëpushimi u njoftua nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pasi propozimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu dha drita jeshile.
Në orët para armëpushimit, bombardimet e Izraelit në Bejrut vazhduan dhe Hezbollahu lëshoi drone në Tel Aviv.
Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi mbrëmjen e së martës se nëse Hezbollahu ose ndonjë palë tjetër thyen marrëveshjen e armëpushimit, atëherë Izraeli ruan të drejtën për vetëmbrojtje në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Presidenti amerikan shtoi se marrëveshja paralajmëron një fillim të ri për Libanin.



