
Partia e qendrës së majtë në Itali, PD, jep sinjale për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen 5 Yjet, nëse kjo e fundit del nga bisedimet me qendrën e djathtë. Pas takimit me Roberto Fico, presidenti i Dhomës së Deputetëve (Dhoma e Ulët e Parlamentit italian), lideri në detyrë i PD-së, Maurizio Martina, (Mateo Renzi dha dorëheqjen pas humbjes) tha se do të marrë në konsideratë diskutimet me Lëvizjen 5 Yjet nëse nuk ka asnjë mundësi marrëveshjeje mes 5 Yjeve, Legës dhe qendrës së djathtë.
Lëvizja 5 Yjet më parë ka lënë të kuptohet se e sheh PD-në si partner koalicioni.
Deklarata e Martinas (në foto) vjen pas disa javëve përpjekje për të arritur një marrëveshje qeverisjeje, që pas zgjedhjeve të 3 marsit, të cilat i dhanë fitoren koalicionit të djathtë, por partia më e madhe rezultoi Lëvizja 5 Yjet. Që pas shpalljes së rezultateve, partitë kryesore italiane nuk kanë arritur të formojnë një qeveri. Presidenti Sergio Matarella caktoi drejtuesen e Senatit si ndërmjetëse mes Lëvizjes 5 Yjet dhe qendrës së djathtë, por bisedimet dështuan javën e kaluar, sepse 5 Yjet refuzoi të bashkëpunonte me Forza Italian e Berlusconi-t, i cili konsiderohet prej tyre si simboli i politikës kundër të cilës ata ngritën partinë.
Berlusconi e ka cilësuar Lëvizjen 5 Yjet si “rrezik për vendin” dhe ka është shprehur se PD-ja do të ishte një aleat më i mirë, por Mateo Salvini i Legës, partia më e madhe brenda koalicionit të djathtë, e përjashtoi këtë mundësi.
Në këto kushte, presidenti Matarela i kërkoi Fico-s, anëtar i Lëvizjes 5 Yjet, të shohë mundësinë e dakordësisë mes partisë së tij dhe PD-së.
Edhe vetë lideri i Lëvizjs 5 Yjet, Luigi di Maio, të hënën deklaroi se u ka dhënë fund përpjekjeve për aleancë me Salvinin e Lega-s. “Nuk mund të thuhet se nuk e provova deri në fund. Tani i uroj fat”, shkroi ai në “Facebook”. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



