
Kryediplomati i Turqisë tha të dielën se Presidenti Trump e ka garantuar homologun turk Erdogan se Uashingtoni po punon për ekstradimin e klerikut Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e grushtit të shtetit të dështuar në vitin 2016.
Pavarësisht se muajin e kaluar, Trump pranoi publikisht se një ekstradim i mundshëm i Gylenit "nuk është në shqyrtim", ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha se Trump e ka diskutuar privatisht këtë çështje me homologun Erdogan gjatë takimit në samitin e fundit të G20-s në Argjentinë.
"Në Argjentinë, Trump i ka thënë Erdoganit se po punohet për ekstradimin e Gulenit dhe njerëzve të tjerë", tha Cavusoglu në një fjalim në një konferencë të dielën në Katar, sipas Reuters.
Tensioni mes SHBA-ve dhe Turqisë për klerikun Gulen ka filluar prej disa vitesh. Dikur aleat i Erdoganit, kleriku mysliman jeton në mërgim të vetëshpallur, në Pensilvani, prej gati dy dekadash.
Autoritetet turke arrestuan mijëra mbështetës të dyshuar të Gylenit në Turqi dy vjet më parë, duke pretenduar se kishin organizuar grushtin e shtetit, që u ndalua në kohë nga qeveria e Erdoganit. Ankaraja i ka kërkuar Uashingtonit ta ekstradojë Gulenin, me pretendimin se e ka orkestruar grushtin e shtetit nga Shtetet e Bashkuara.



