
Politikani opozitar rus Alexei Navalny, i cili po vuan dënimin në seksionin e burgut numër 6 në qytetin Melikhovo në rajonin e Vladimirit, është futur në izolim për herë të njëzetë, thonë bashkëpunëtorët e tij.
Navalny u lirua vetëm të enjten nga izolimi, në të cilin u dërgua nëntë ditë më parë, dhe u transferua në një qeli të rregullt.
Arsyet e dënimit të ri të vendosur ndaj Navalny të premten, nuk janë të specifikuara. Këtë herë ai do të qëndrojë në izolim për katër ditë.
Gjithçka është e qëndrueshme. Dje në pesë të pasdites më nxorën nga izolimi, sot në tetë të mëngjesit më kthyen në izolim.
Katër ditë. Pse kaq pak? Sepse pikërisht për njëzet e katër orë gjykata shqyrton ankesën që kam paraqitur.
Dhe reparti i burgut mund të pretendojë: Nuk ia kemi shkelur në asnjë mënyrë të drejtën, as nuk është në izolim”, shkroi Navalny përmes bashkëpunëtorëve të tij të rrjeteve sociale.
Deri më tani Navalny ka kaluar 220 ditë në izolim. Në fillim të gushtit, Gjykata e Qytetit të Moskës e dënoi opozitarin rus me 19 vite burg në një repart burgu të regjimit të posaçëm me akuzën për financim të veprimtarisë ekstremiste, formim të një organizate ekstremiste dhe thirrje për veprimtari ekstremiste.
Regjimi special që mbizotëron në burgun ku ai vuan dënimin i lejon Navalny-t të ketë dy takime të shkurtra dhe një të gjatë në vit.



