Pr.ligji për Arbitrazhin/ Tomorri: Vendimet, me karakter final dhe të detyrueshme. S’mund të ankimohen në gjykatë

Pr.ligji për Arbitrazhin/ Tomorri: Vendimet, me karakter final dhe të detyrueshme. S’mund të ankimohen në gjykatë

Gazetari Klodian Tomorri foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi projektligjin për Arbitrazhin, duke theksuar se drafti rrëzon monopolin e gjykatave në konfliktet tregtare.

Tomorri thekson se vendimi i Arbitrazhit vendas ka karakter final dhe është i detyrueshëm, duke mos lënë shteg për ankimim në gjykatë.

Është një draft që ka dalë për konsultim që në vitin 2019, por s’u avancua në hallkat e procesit legjislativ për t’u shndërruar në ligj. Drafti rrëzon monopolin e gjykatave në konfliktet tregtare. Pra nëse dy biznese kanë konflikt me njëra-tjetrën dhe duan të shmangin gjykatat, sepse proceset gjyqësore në gjykatat shqiptare zgjasin për vite të tëra, mund të shkojnë deri në 10 vjet. Bizneset që  nuk duan t’i hyjnë këtij kalvari, mund të përcaktojnë në kontrata që në rast mosmarrëveshje do gjykohet në Arbitrazh. Institucioni i Arbitrazhit ngrihet dhe regjistrohet pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ka një karakter privat. Në shumë vende gjykatat e arbitrazhit ngrihen pranë Dhomave të Tregtisë. Nuk e di nëse edhe qeveria shqiptare do të zgjedhë edhe ajo këtë model. Në pr.ligj s’është e përcaktuar. Arbitrazhet funksionojnë me tre arbitra. Bizneset zgjedhin secila nga një arbitër që do gjykojë çështjen. Dy arbitrat e zgjedhur nga palët, zgjedhin një të tretë. Trupa gjykon konfliktin dhe merr vendimin. Vendimi i Arbitrazhit ka karakter final dhe është i detyrueshëm. Në çastin që bizneset shkruajnë në kontratën e tyre që çdo mosmarrëveshje do ta zgjidhin në Arbitrazhin vendas, ato heqin dorë nga juridiksioni i gjykatës dhe nga e drejta për të shkuar në gjykatë. Vendimi i Arbitrazhit ka karakter të detyrueshëm dhe merr një titull ekzekutiv dhe s’mund të ankimohet më në gjykatë. Ka vetëm disa raste specifike kur mund të ankimohet, që ka të bëjë me shkeljen e procedurave, por janë raste të ngushta”.

Tomorri tha se në shumicën e rasteve arbitrazhi vendas do gjykojë konfliktet mes dy subjekteve private, por nuk përjashtohet të shkojë në arbitrazh edhe një konflikt shtet-privat, në rastin kur përcaktohet në kontratën mes palëve.

Ky draft, apo ky pr.ligj s’ka lidhje me arbitrazhin ndërkombëtar. Ka draft apo ligj ka  lidhje me biznesin vendas. Janë trupa arbitrazhi që do krijohen në vend për të zgjidhur konfliktet që mund të lindin mes palëve. Ka të bëjë edhe me çështjet privat-shtet, nëse shteti bën një tender dhe në kontratën e tenderit nënshkruan që për çdo mosmarrëveshje do shkojmë në arbitrazhin vendas, edhe shteti shkon në arbitrazh. Por më së shumti është për konfliktin privat-privat. Kurse kompanitë e huaja që vijnë në Shqipëri dhe nënshkruajnë kontrata me shtetin, e përcaktojnë që në kontrate që do mosmarrëveshje që mund të lindë do gjykohet në arbitrazh ndërkombëtar. Caktojnë edhe gjykatën ku do gjykohet. Zgjedhin arbitrazhin ndërkombëtar sepse atje kanë më shumë garanci për një gjykim më të drejtë, se sa në gjykatat vendase apo në arbitrazhet vendase”.

Tomorri e konsideron një politikë të domosdoshme rritjen e pagave në Shqipëri, pas afro 10 vite stanjacion. Ai thekson se ka para për të rritur pagat, ndërsa vendimi është edhe me prapavijë elektorale, por nuk ka përse ta orientojë votën e publikut nga mazhoranca. Sa i takon objektivit për paga mesatare 900 euro deri në 2024-ën, Tomorri tha se kjo masë mund të jetë pak e sforcuar, duke shtuar se masa e rritjes së pagave është e debatueshme.

Është politikë e domosdoshme në kushtet e Shqipërisë, pavarësisht se merr implikime elektorale. Po të shohësh dekadën e fundit mënyrën se si janë rritur pagat në shtet, rritja e pagave ka qenë pothuajse stanjative. Ndryshe nga qeveritë e mëparshme që bënin rritje të përvitshme. Pasi nënshkruam marrëveshjen me FMN pati një vendim që pagat të ngrinin për një periudhë të caktuar. Ka pasur rritje pagash vetëm në periudhën zgjedhore. Ka vend për rritjen e pagave të administratës për shkak të kësaj që ka ndodhur këto 10 vjet. Po të marrësh raportet, si është rritur paga në sektorin privat dhe shtetëror, në dy vitet e fundit vë re që pagat në privat po rriten dy herë më shumë se në shtet. Nga biznesi ka një politikë për të rritur pagat, e cila vjen për arsye të mungesës së forcës punëtore dhe emigracionit masiv.

Sigurisht që ka para për të rritur pagat. Vetëm për shkak të efektit që sjell rritja e çmimeve, rriten të ardhurat në buxhet dhe ka para.  Sot kanë kaluar disa vendime për të rritur pagat për disa kategori, punonjësit e shëndetësisë, policët dhe punonjësit e arsimit. Është një kompensim për ngrirjen e pagave në 10 vjet dhe rritjes së çmimeve. Edhe plani për rrogë mesatare 900 euro deri në vitin e ardhshme, që ka kosto 340 milionë euro në vit, ajo mund të jetë pak e sforcuar. Masa sa duhet të rriten është e debatueshme, që duhet të rriten është e domosdoshme.  A ka pas këtij vendime motive elektorale? Sigurisht që ka. E bëjnë edhe qeveritë në vendet e zhvilluara. Është një moment që njihet në ekonomi. Në finale qeveria përpiqet të ndikojë me këto politika votën, të fitojë më shumë kredo elektorale. Por në finale shoqëria shqiptare duhet të piqet dhe të mos ta shohë rritjen e pagave si dhuratë nga qeveria, sepse qeveria nuk prodhon para, por i merr nga taksat. Është një hap në krahun e duhur, por s’ka përse nga publiku dhe shoqëria të perceptohet apo lidhet me orientimin e votës për qeverinë”.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy