E.N / TemA TV
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Bullgari, Turqi, Itali, me DEA-n amerikane dhe SELEC, shpalli këtë të enjte finalizimin e mega - operacionit kundër trafikimit të lëndëve narkotike të koduar “Ballkan”. Si pasojë e këtij operacioni në disa vende të rajonit janë arrestuar 30 persona dhe 23 të tjerë janë shpallur në kërkim pasi akuzohen për trafikimin e sasirave të konsiderueshme të lëndëve narkotike të tipit heroinë, kokainë dhe kanabis. Ky trafik i strukturuar në disa vende të ndryshme mund të thuhet se operonte si një rrjet “transballkanik”.
Në 30 personat e prangosur, 14 janë shtetas shqiptarë dhe ndër këta të fundit janë cilësuar nga autoritetet si financues të trafikut tre biznesmenë të fushës së ndërtimit. Mes tre biznesmenëve, sipas deklaratës për shtyp të Policisë të Shtetit, figuron dhe emri i ndërtuesit 38 – vjeçar Jurgen Molla. Molla njihej edhe me pseudonimin Miri Molla ndërsa sipas policisë është bashkëpronar në firmën e ndërtimit “MOLLA shpk”, nën emrin e së cilës është ndërtuar një kompleks pallatesh në zonën midis Yzberishtit dhe Kasharit.
Nga një kontroll i përciptë i rrjeteve sociale, si për shembull Facebook, mund të gjenden fotot e kompleksit në pronësi të Mollës por edhe të tjera detaje. Sipas publikimeve të faqes zyrtare në “Kompleksin Molla” në Yzberisht aktualisht janë në gjendje shitjeje apartamente, dyqane apo edhe ambiente shërbimi. Çmimet variojnë nga 500 euro m2 për apartamentet deri tek 1000 euro m2 për ambientet e shërbimit.
Nga ana tjetër, gjithmonë sipas deklaratave të autoriteteve, ky kompleks do t’i nënshtrohet procedurave ligjore për të vërtetuar se me çfarë pasurie është ndërtuar e në ka lidhje në themelet e saja trafiku i narkotikëve.



