
Vijojnë hetimet lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në qytetin e Elbasanit ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, ish-kreu i LSI në Elbasan.
Mësohet se deri tani janë shoqëruar 15 persona, ndërsa në kërkim është shpallur Klement Xhaferri, ndërkohë që në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur 18 gëzhoja plumbash të kalibrit 9 mm dhe 11 mm.
Dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga dy pistoleta të ndryshme, dhe se ngjarja është zhvilluar në pak sekonda.
Ndërkohë pas marrjes në pyetje të të shoqëruarve, policia ka rindërtuar dhe një herë skenën e ngjarjes.
Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, i njohur si mbështetës i Partisë Socialiste dhe ish-drejtori i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor mori tre plumba në trup.
Të plagosurit janë: ish-polici Emiljan Prenga 39 vjeç, person me precedent penalë; Pavlo Vuksani 50 vjeç, ish-efektiv i policisë kriminale; Eltjon Bodinaku 32 vjeç (dhëndrri i viktimës) si dhe efektivja e forcave “Shqiponja”, Xhensila Sota 27 vjeçe.
Situata më e rëndë paraqitet për 32-vjeçarin Eltjon Bodinaku, dhëndri i viktimës, i cili është në terapi intensive.
Ndërkohë efektivja e forcave “Shqiponja” Xhensila Sota i është nënshtruar një operacioni në këmbë ku dhe kishte marrë plumbin.
Po kështu mbështetësit e PD që po ashtu janë plagosur Emiljan Prenga e Pavlo Vuksani janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim në spitalin e Traumës.



