
"Kryeministri i Australisë Harold Holt është zhdukur". Këto ishin fjalët që përsëritën televizionet dhe radiot anembanë Australisë më 17 dhjetor 1967 , dita që Holt hyri në det në Cheviot Beach afër Melburnit dhe nuk u pa më. Udhëheqësi australian u konsiderua i mbytur dhe në nder të tij u zhvillua një funeral, ku morën pjesë udhëheqës botërorë, përfshirë kryeministrin britanik Harold Wilson dhe presidentin amerikan, Lyndon Johnson.
Por trupi i tij nuk u gjet kurrë, duke çuar në një sërë teorish konspiracioni, gjithnjë e më qesharake, duke përfshirë edhe një libër që pretendonte se ai ishte marrë nga një nëndetëse kineze. Pesëdhjetë vjet pas zhdukjes së tij, karriera e gjatë e Holt-it si politikan australian progresiv është lënë tërësisht në hije nga natyra misterioze e vdekjes së tij.
"Teoritë e konspiracionit janë bërë aq të njohura dhe pothuajse janë një pjesë e folklorit australian", tha për CNN Tom Frame, biografi i Holt dhe drejtor i Grupit të Hulumtimit të Lidershipit Publik në Bibliotekën Howard të Universitetit të New South Wales.
"Unë mendoj se askush prej nesh nuk do të donte që vdekja jonë ta errësonte jetën tonë", thotë ai.
Holt u bë kryeministri i Australisë në janar 1966, vetëm dy vjet para se ai të zhdukej. "Ai ishte një frymë me ajër të pastër", shprehet për CNN, John Warhurst, profesor emeritus i politikës në Universitetin Kombëtar australian.



