
Dy punëtorë të vdekur dhe dy të plagosur, si pasojë e shpërthimit të një kapanoni gruri në Brazil. Ky është vlerësimi i përkohshëm i shpërthimit që ndodhi pasditen e së mërkurës në vendin e tharjes së grurit të një prej kompanive kryesore agroindustriale në Palotina, në shtetin brazilian të Parana. Të paktën nëntë persona rezultojnë ende të zhdukur, sipas zjarrfikësve që janë të përfshirë në kërkim-shpëtim. Kompania që zotëron kapanonet, C.Vale, thotë se bëhet fjalë për një aksident të madh që preku njësinë qendrore të grumbullimit të grurit në Palotina, në Paranën perëndimore, për arsye që ende nuk dihen. Kapiteni i zjarrfikësve shpjegoi se në momentin e shpërthimit viktimat ndodheshin në një tunel që lidh magazinat me kapanonin.



