Shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, e miratuar nga Parlamenti një ditë më parë, sjell me vete rrezikun e abuzimit me tenderat. Në një intervistë në TvT, gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, tha se falë zgjatjes së kësaj gjendjeje, autoriteteve u krijohet mundësia të për tëzhvilluar tendera jotransparentë.
“Shpallja krijon më shumë hapësira për autoritetet që të procedojnë me gara të mbyllura, me tendera pa konkurrenvcë. Ne e dimë, kur mungon transparenca, risku i abuzimit është shumë i madh”, tha ai.
Në lidhje me investimet publike, Tomorri tha se në këtë gjendje, gjithçka varet nga buxheti.
“Në lidhje me ecurinë e investimeve, zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk sjell gjë. Do të varet nga paratë që ka qeveria në buxhet. Nëse nuk ka para, investimet janë të parat që ndërpriten”, tha Tomorri.
Mbrëmjen e së enjtes, ministri Arben Ahmetaj, i cili është i ngarkuari i qeverisë për menaxhimin e situatës së koronavirusit, tha se janë 72 biznese të mëdha që kanë mbështetje nga bankat në kuadër të fondit të garancisë sovrane. Por për Tomorrin, ky numër lidhet me ato biznese që thjesht kanë aplikuar dhe janë në pritje të shqyrtimit të kërkesës së tyre nga bankat e nivelit të dytë.
“Bizneset që do të marrin kredi nuk do të jenë publike, as garancia që shërben për pagesën e rrogave. Ka patur dhe debate në lidhje me këtë çështje. Qeveria ka vendosur që lista të mos jetë publike, kjo është një marrëdhënie strikte me bankave dhe kompanive që marrin kredi. Marrëveshja është nënshkruar nga të gjitha bankat. Shifra 72 biznese që përmendi Ahmetaj nuk janë kredi të aprovuara, por aplikime të bizneseve që janë ende në fazë shqyrtimi. Nuk ka biznes që shkon me qejf të marrë kredi kur punonjësit i ka papunë”, tha Tomorri.



