
Policia e Shtetit ka njoftuar sot për planin e masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e ndeshjes së ditës së nesërme Shqipëri-Andorra.
Sipas njoftimit të policisë, masat konsistojnë në eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Andorrës, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas, eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të Shqipërisë, në stadium.
Policia thotë se për të parandaluar futjen e sendeve të kundraligjshme në stadium si lëndë piroteknike e flakadanë e sende të tjera shërbimet e Policisë do kryejnë kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, para se të futen tifozët.
Mësohet se për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, ditën e nesërme, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, do ketë kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:
*Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqezimi i Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”;
* Rruga “Papa Gjon Pali II”;
* Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
* Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së;
* rruga “Themistokli Germenji”;
* rruga “Gjergj Filipi”;
* Rruga “ Lekë Dukagjini”, nga ish-Garda e Republikës deri te stadiumi;
* rruga “Faik Konica”;
* rruga “Skerdilajd Llagami”.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’ju ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.



