Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Ermal Kokon, pronarin e pishinës “Gloë”, i arrestuar tre ditë më parë në lidhje me ngjarjen tragjike ku humbi jetën 15-vjeçari Arbër Peçi.
Seanca gjyqësore u drejtua nga gjyqtari Ervin Kore.
Gjatë saj, prokurorja e çështjes, Nertila Miftaraj, paraqiti argumentet dhe provat e administruara deri tani në lidhje me rrethanat e ngjarjes së ndodhur në pishinën në pronësi të nënkryetares së bashkisë së Gjirokastrës
Nga ana tjetër, mbrojtja ligjore e të arrestuarit, e përfaqësuar nga avokati Ben Pasho, kërkoi një masë sigurie më të lehtë.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi ta lërë Ermal Kokon në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, duke refuzuar kërkesën e Prokurorisë për një masë më të ashpër.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.



