
Ngjarja e ndodhur një javë më parë në Shëngjin ku mbeti i vrarë biznesmeni Ardian Nikulaj, ka rikthyer historinë e gjakmarrjes që daton që nga vitet 1997 me fisin Lekstakaj. Hasmëria mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj në Balldre të Lezhës nisi me vrasjen e Pëllumb Nikulaj, i cili ndërhyri për të shuar një sherr në një pikë karburanti në dalje të qytetit të Lezhës.
Këtë e pohon edhe misionari i Pajtimit të Gjaqeve, Pjetër Gjoka, sipas të cilit gjithçka ka nisur nga fisi Lekstakaj, por pas vitit 2005 situata mes tyre ishte qetësuar.
“Ngjarja ka filluar diku nga 97-ta për një konflikt të çastit në lidhje me një faturë karbuaranti. Aty ka filluar sherri dhe për të vazhduar më pas. Por ajo që dua të theksoj, dje jam marrë në telefon kam dhënë një intervistë të shkurtër dhe më është keqinterpretuar përgjigjia. Ajo pjesa që dua të sqaroj është se gjakmarrja ka filluar nga pala e Lekstakajve. Ata kanë filluar herrin me një tjetër, djali i Nikulaj ka qëlluar aty afër dhe ka shkuar për t’i ndarë. Dhe ata me armë i kanë vrarë të dy”, thotë pajtuesi i gjaqeve.

(Ne foto: Pjeter Gjoka, pajtues i gjaqeve)
Misionaret e Pajtimit të Gjaqeve kanë qenë në dijeni të këtyre perplasjeve mes dy fiseve, por nuk është bërë asnjë tentative ndërhyrje për t’u pajtuar, pasi diçka e tillë nuk ishte kërkuar nga asnjëra.
“Gjatë kësaj kohe, kaosi i 97-ës ka edhe sot një sërë ngjarjesh që janë lënë në heshtje. Nuk kam patur informacion edhe më pas me vazhdimin e këtij konflikti. Nuk jam marrë me këtë çështje. Di këtë, që mes këtyre fiseve pas vitit 2005 ka pasur një qetësi, nuk kemi patur asnjë shqetësim. Ne i besuam kësaj qetësie. Nuk e kam diskutuar me Ardian Nikulajn këtë temë, dhe nuk më ka kërkuar në asnjë rast të ndërhyj. Ne shqiptarët jemi të dënuar nga historia që t’i shkojmë kësaj plage”, tha Gjoka.



