Ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit në Berat dhe djali i tij janë marrë nën hetim nga prokuroria për veprat penale ‘Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar’.
Gazetari Sokol Bregu tha në studion e MCN Live se P.SH u godit pasi nuk kishte paguar policinë, ndërsa babai i tij A.SH i cili ka qenë kreu i SHISH në Berat dhe kishte në shtëpi USB me informacione sensitive u zbulua rastësisht.
Më tej Bregu tha SHISH i shet partnerëve të huaj 6 mijë informacione në vit.
Goditja nuk ka qenë për të atin, se nuk e dinin se ai i kishte bërë një kopje informacioneve sensitive. Ishte për të birin që organizonte lojëra fati.
Është në kuadrin e goditjeve që po i jepen lojërave të fatit të cilat janë në të zezë. Atu është gjetur dhe USB, gjatë kontrollit pasi do kontrolloheshin të gjitha mjetet elektronike dhe është gjetur kjo USB. Nuk e kuptoj, kam përshtypjen se të gjithë drejtuesit e SHISH e mbajnë një kopje në shtëpinë e tyre, të kesh informacione sensitive për çdokënd është pasuri e madhe. Informacioni është pushtet.
Nuk lejohet t’i bësh kopje. Nuk besoj se Berati ka volum të jashtëzakonshëm, por e ka një informacioni. Për lokalitetin është informacion i qenësishëm. Shërbimi informativ në Berat nuk do të kishte lidhje ku komprometohen politikanë të lartë, por politikanë lokal ka informacion, përfshi dhe ndonjë formacion tjetër. Shërbimi duket sikur është i fjetur, por SHISH i shet partnerëve të huaj më shumë se 6 mijë informacione në vit.
Personi në fjalë nuk ka paguar policinë prandaj u godit. Kush paguan policinë nuk goditet. Prandaj thashë janë goditje selektive. Ai do të bëjë para me lojërat e fatit pa paguar SPZ e zonës apo shefin e komisariatit. Kush nuk paguan do arrestohet.



