
Një 24-vjeçar është vënë në prangat e policisë së Shkodrës pasi nuk dha deklarim të plotë lidhur me rrethanat e plagosjes së tij me armë zjarri.
Efektivët e policisë në vijim të punës për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 23 dhjetor, bënë arrestimin për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” të shtetasit të plagosur A. B., 24 vjeç.

I riu gjatë veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes nuk dha deklarime të plota në lidhje me rrethanat dhe autorin e plagosjes së tij në këmbë me armë zjarri.
Në vijim të veprimeve policia shpalli në kërkim E. Sh., 22 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, i cili dyshohet se ka plagosur nga pakujdesia shokun e tij shtetasin A. B.
Aktualisht vijon puna për kapjen e 22-vjeçarit.



