Policia e Beratit njofton arrestimin e dy të rinjve, të cilët u kapën në flagrancë duke kultivuar kanabis në fshatin Osmëzezë.
Gjatë një kontrolli të territorit në vendin e quajtur “Moçali”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, zbuluan një parcelë ku ishin kultivuar 64 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Gjatë ndërhyrjes, u kapën në flagrancë në parcelë, shtetasit S. M., 29 vjeç dhe R. M., 26 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit, të cilët në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. M, u gjet dhe sekuestrua një armë gjahu çifte dhe disa fishekë të armës së gjahut.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.



