
Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot mbledhjen e radhës, ku caktoi përkohësisht disa drejtues prokurorie.
Në mbledhjen e sotme Dritan Gripshi u emërua në pozicionin e drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat; Rifat Kojku në pozicionin e drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër; Elion Mustafaj në pozicionin e drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë; Kleanth Zeka në pozicionin e drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë; Neritan Hoxha në pozicionin e drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.
Me propozim të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, Këshilli miratoi përmes procedurës së caktimeve të përkohshme, edhe Pranvera Grudën në pozicionin e prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër dhe Elida Hoxhaj në pozicionin e prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Vlorë.
Pasi u njoh me relacionin shpjegues të përgatitur nga Komisioni për Zhvillimin e Karrierës dhe propozimet e tij sa i takon projektaktit për caktimin e përkohshëm të një prokurori në pozicionin e drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Këshilli vendosi me 8 vota pro, Genc Mane të ushtrojë detyrën e drejtuesit të kësaj prokurorie.
Në vijim, Këshilli ka miratuar me 10 vota pro, projektaktin për mbylljen e procedurës së ngritjes në detyrë për pozicionin e drejtuesit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës dhe plotësimin e një vakance të përkohshme, në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, përmes procedurës së transferimit të përkohshëm me pëlqim.
Gjithashtu, pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, Këshilli miratoi edhe raporte të vlerësimit për analizimin profesional të dy subjekteve të rivlerësimit, respektivisht Ida Ahmetlli, me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Ilia Bano, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
Lidhur me një ndryshim në vendimin e Këshillit, sa i takon përbërjes së Komisioneve të Përhershme, Këshilli miratoi unanimisht zëvendësimin e ish-anëtarit, Gent Ibrahimi nga Mirela Bogdani si anëtare në Komisionin Disiplinor dhe si anëtare zëvendësuese në Komisionin e Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale.



