Shuma që grabitësit arritën të merrnin tek shtëpia e kambistit Shefqet Muço në Korçë, dyshohet të jetë rreth 10 milionë lekë të reja. Ngjarja ndodhi në lagjen numër 1 të qytetit të Korçës, ndërsa vetë kambisti është përleshur me personat e maskuar që u futën në banesë rreth orës 06:00 të mëngjesit.
Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se është marrë deklarata e biznesmenit, i cili ka treguar të gjitha detajet e ngjarjes si dhe momentin e përleshjes me autorët.
Referuar dëshmisë së tij të dhënë në polici, tre grabitësit e maskuar dhe të armatosur i kanë kërkuar paratë, por ai nuk iu është bindur që t’ua japë. “Më vrisni unë lekët nuk ua jap”, u ka thënë kambisti grabitësve.
Ai ka bërë rezistencë ndaj grabitësve të maskuar dhe me armë, ndërsa në vendin e ngjarjes ka qenë bashkëshortja e tij dhe fqinjët të cilët kanë bërë të mundur dhe ndalimin e një prej autorëve.
Ndërkohë deri më tani nuk ka asnjë informacion në lidhje me identitetin e dy autorëve të arratisur, ndërsa policia e ndodhur në vendin e ngjarjes ka marrë gjurmët e gjakut në vendin e ngjarjes si pasojë e përleshjes.



