Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të kthejë për plotësim hetimesh në SPAK dosjen e njohur si ajo e mikrokredive, duke mos e kaluar çështjen për gjykim në këtë fazë.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Flojerza Davidhi, e cila i ka lënë një afat prej 5 muajsh prokurorit të posaçëm Edvin Kondili për të plotësuar hetimet dhe për të paraqitur një dosje të plotë dhe të konsoliduar.
Bëhet fjalë për një procedim penal me 27 të pandehur, të cilët akuzohen për “mashtrim me pasoja të rënda”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas organit të akuzës, të pandehurit dyshohet se kanë ndërtuar një skemë mashtrimi përmes mikrokredive, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.
Me këtë vendim, çështja rikthehet në fazën e hetimit, ndërsa pritet që pas plotësimit të akteve procedurale dhe administrimit të provave shtesë, dosja të ridërgohet në gjykatë për shqyrtim.



