
Prania e qenve endacakë mbetet akoma një problem pa zgjidhje në Durrës.

Për mikrofonin e MCN tv, aktivistja, Livia Kreko thotë se marrëveshja me bashkinë e Durrësit për një strehë për to nuk është rinovuar, ndërkohë që hapësira e caktuar për këtë qëllim është jashtë funksionit, pasi është shndërruar në një vend depozitimi për mbetjet.
Puna që bëhet nga aktivistët për largimin e tyre nga rruga nuk mungon, por është e pamjaftueshme për zgjidhjen e problematikës, e cila sjell si pasojë braktisjen, por edhe helmimin e qenve endacakë në mënyrë të veçantë në zonën e plazhit, më së shumti nga bizneset.
Sipas aktivistes Kreko, paradoksal mbetet fakti që janë të huajt që mbështesin dhe ndihmojnë vullnetarisht, megjithëse është detyrë e institucioneve për ta monitoruar dhe për të normalizuar situatën.
Mungesa e kapaciteteve nuk mundëson zgjidhjen e problematikës, ndërsa prania e qenve endacakë rrit rrezikun për përhapjen e sëmundjeve infektive, veçanërisht në këto ditë të nxehta vere.



