
Një marrëveshje dypalëshe është nënshkruar në Gjermani mes kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, dhe presidentit të Policisë Federale Gjermane, dr. Dieter Romann.
Marrëveshja e bashkëpunimit vjen në kuadër të projektit ndërkombëtar “SCOPE”. Ky projekt ka në fokus luftën ndaj grupeve të organizuara kriminale që i pajisin emigrantët e parregullt me dokumente të pavlefshme dhe u paraqesin atyre mënyra për të kaluar kufirin, duke shmangur pikat e kontrollit kufitar, si dhe luftën ndaj grupeve të organizuara kriminale, të cilët përmes kësaj veprimtarie, rrezikojnë jetën e këtyre subjekteve.
Gjatë takimit me homologun gjerman, Nano tha se policia shqiptare ka të gjitha kapacitetet profesionale dhe njerëzore për të qenë në krah dhe e barabartë me policitë partnere.
“Mbështetja juaj dhe e policisë gjermane është një motiv më shumë për mua, për të përmbushur prioritetet, shumica e të cilëve janë të përbashkëta, pasi kanë të njëjtin qëllim, krijimin e një ambienti të sigurtë për jetën dhe pronën e qytetarëve tanë”, u shpreh Nano.
Presidenti i Policisë Federale Gjermane, Dr. Dieter Romann vlerësoi rezultatet e arritura nga Policia shqiptare në luftën kundër kriminalitetit, duke theksuar se kjo është një luftë nacionale dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të profesionalizmit, policia gjermane theksoi se është e nevojshme që në vijim të bashkëpunimit midis dy policive, të ketë akoma më shumë skuadra hetimore të përbashkëta, shkëmbime informacioni në kohë reale dhe operacione të përbashkëta kundër grupeve kriminale.



