
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burg shtetasin Ervis Vladi, i cili ishte pjesë e çështjes së “Toyota Yaris” me 3.4 milionë euro, dhe pikërisht pronari i kësaj shume.
Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tij ulet në 1 vit burg. Në të njëjtën dosje është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg edhe Agim Ceka për “armëmbajtje pa leje”.
Kujtojmë se kjo çështje në fillim u përdor nga opozita shqiptare për të akuzuar ashpër kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Por i rrezikuar për t'u marrë i pandehur si dekonspirues i operacionit, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u paraqit më datë 25 korrik 2019 për të dhënë shpjegime përpara prokurorit.
Ai bëri një denoncim në një fjalë në Kuvend, dy ditë para se të bllokoheshin në portin e Durrësit automjetet që vinin nga Belgjika, në të cilat ishte fshehur shuma prej 3.4 milionë eurosh.
Taulant Balla e paditi Lulzim Bashën për shpifje, lidhur me deklaratat që ky i fundit bëri në Kuvend se shuma e 3.4 milionë eurove e zbuluar ne dy makinat ‘Toyota Yaris’ i përkiste kreut të grupit socialist. Basha u dënua nga gjykata me 50 mijë lekë gjobë për shpifje ndaj Ballës.
Mbrëmjen e 24 qershorit 2018, policia shqiptare sekuestroi rreth 3,4 milionë euro të fshehur në dy makina tip “Toyota Yaris” në portin e Durrësit.
Makinat u gjetën në një karoatrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës. Së bashku me dy makinat me para, në trailerin që i përkiste një kompania shqiptare transporti, kishte dhe 8 makina të tjera. Itenerari i makinave ka qenë Belgjikë-Gjermani-Itali-Shqipëri.



