
Dy vëllezër shqiptarë në Greqi, i kanë marrë jetën një 53-vjeçari grek me sëpatë dhe kanë plagosur djalin e tij.
Ngjarja e rëndë u shënua në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes në zonën e Kasandrës në Halkidiki, por vetëm ditën e sotme është raportuar në mediat greke.
Dy vëllezërit nga Shqipëria, 27 dhe 47 vjeç, shkuan në ambientet e jashtme të shtëpisë së viktimës së moshës 53-vjeçare dhe nisën të debatonin me djalin e tij 24 vjeç dhe vajzën 18-vjeçare.
Në një moment, 27-vjeçari shqiptar goditi me thikë 24-vjeçarin dhe e shtyu vajzën me të cilën dyshohet se kishte pasur lidhje intime, ndërsa vëllai i tij goditi me sëpatë në gjoks 53-vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen.
Kur 53-vjeçari u transportua me autoambulancën në Qendrën Shëndetësore Kasandra, u deklarua i vdekur nga mjekët.
Dy vëllezërit shqiptarë u arrestuan mesditën e së premtes, ndërkohë që hetimet lidhur me ngjarjen janë në vijim.



