Një person ka përfunduar në prangat e policisë pasi është kapur me 13 emigrantë të paligjshëm në automjet.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një rast të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionit policor të koduar “Aksi”.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, në vendin e quajtur “Beltojë”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit (furgon) me drejtues shtetasin Agim Kasapi.
Në këtë automjet ishin pasagjerë 13 shtetas të huaj (nga Bangladeshi dhe India), të cilët dyshohet se shtetasi Agim Kasapi i kishte marrë në Sarandë dhe po i transportonte, kundrejt pagesës, në drejtim të kufirit me Malin e Zi, me qëllim që ata të kalonin në vendet e BE-së.
Automjeti tip “Huyndai” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 aparate celulare, 22 000 lekë dhe 450 euro. Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi Agim Kasapi, 66 vjeç, banues në Shkodër.
Vijojnë veprimet hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.



