
Një 45-vjeçar nga Sllovenia ka mbetur i plagosur mbrëmjen e së hënës në zonën e Shkallnurit, pas një konflikti fizik me disa persona ende të paidentifikuar.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 21:30, shtetasi me inicialet M. M., i cili dyshohet se jetonte në kushte endacake, është konfliktuar me disa persona. Pas ngjarjes, autorët e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e konfliktit, 45-vjeçari ka pësuar dëmtime fizike, të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës, dhe është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe shoqërimin e personave të përfshirë. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



