Një 41-vjeçar mbeti i vrarë këtë të enjte në qytetin e Fierit, teksa zbriste nga makina e tij. autori i dyshuar është identifikuar nga policia, ndërsa shkak dyshohet një konflikt i ndodhur një javë më parë mes tyre.
Viktima është Elton Javori, ndërsa mësohet se është ekzekutuar me një plumb në kokë, teksa zbriste nga makina e tij tip “Porsh”. Ngjarja ndodhi rreth 100 metra larg shtëpisë së 41-vjeçarit, i cili kishte rreth 3 muaj që ishte kthyer nga Gjermania dhe jetonte vetëm me babanë e tij.
Pas vrasjes, policia dhe grupe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ngritën pika kontrolli në akset kryesore. Brenda një kohe të shkurtër është identifikuar autori i dyshuar i krimit, Agim Gashi, 35 vjeç, banues në Fier. Sipas burimeve të policisë, ai është larguar nga vendngjarja me një makinë tip “Benz”, ngjyrë gri.
Mes tij dhe viktimës, një javë më parë mësohet se ka patur një konflikt verbal, dyshohet një krushqi e prishur. Grupi hetimor vijon të mbledhë dëshmitë për të zbuluar më shumë detaje nga krimi i rëndë. Ndërkohë, banorë të zonës thonë që 41-vjeçari njihet si person pa probleme.
Policia ka sekuestruar kamerat e rrugës dhe të disa banesave që ndodhen pranë vendit të ngjarjes, të cilat kanë fiksuar momentin e vrasjes.



