
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka njoftuar se Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të Faton Hajrizit, i cili ishte raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë.
MPJD-ja ka thënë se avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, i mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi po kryejnë procedurat për tërheqjen e trupit nga morgu i Lloznicës dhe për ta sjellë atë në Kosovë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik që sot Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të qytetarit të Kosovës, të raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë.
Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jashari po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë.
Rreth procedurave të mëtutjeshme mjeko-ligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të ju mbajmë të informuar.
Faton Hajrizi u vra më 19 korrik në afërsi të kufirit mes Serbisë dhe Bosnjës.
Një ditë më herët, ai dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër. Faton Hajrizi qe arratisur nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik.
Trupi i tij pritet të mbërrijë në Kosovë rreth orës 1 pas mesnate.



