
Bomba 907 kilogramëshe e cila gjet para tre jave në afërsi të pikës kufitare në Merdares me Serbinë, përfundimisht u shkatërrua sot.
Ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përkatësisht ekipet e EOD-së në bashkëpunim me Ekipin e EOD-së së KFOR-it Amerikanë, sot kanë bërë të ditur se kanë asgjësuar përfundimisht bombën Mk 84 me peshë 907 kilogramë në fshatin Merdare të Podujevës.
Sipas njoftimit të FSK-së, bomba “e gjetur gjatë deminimit në fshatin Merdare, operacioni është mbyllur me sukses pas 14 orësh punë dhe bomba nuk paraqet rrezik më për qytetarët e Republikës së Kosovës”.
“Shkatërrimi është bërë në ambiente të kontrolluara dhe sipas kushteve dhe standardeve më të larta të sigurisë”.
“Forma e shkatërrimit të bombës ishte shpërthim më fuqi të ultë ku është ruajtur shumica e trupit, që do të përdoret në të ardhmen për trajnime të pjesëtarëve në këtë fushë”, shpjegon më tej FSK.
“Kompania e Deminimit e FSK-së është e përkushtuar të punoi për të krijuar një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët”, përfundon njoftimi.



