Gazetari Arsen Rusta në një raportim për MCN Live dha të tjera detaje në lidhje me hetimet për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”.
I pyetur mbi dyshimet që po qarkullojnë se një person i tretë, i biri i dy eksponentëve të sistemit të drejtësisë, është i përfshirë në vrasje, Rusta tha se deri më tani nuk rezulton që ky i mitur të ketë qëlluar me thikë. Po ashtu Rusta bën me dije se arsyeja përse Mario Prelleshaj nuk po transferohet ende nga spitali në paraburgim është raporti mjekësor.
“Vazhdon të jetë pjesë e hetimit nga Policia dhe Mbikëqyrja Policore nëse ka apo jo një version të fshehur për vrasjen e Martin Canit. Ka qenë deklarata e babait të njërit prej të plagosurve që ka bërë që policia të kthehet në marrjen e dëshmive. Rezulton që gjatë konfliktit fizik të ketë qenë edhe shoku i Mario Prelleshajt, ai është person i paproceduar penalisht pasi rezulton se ka prani të tij aty, dhe konfliktim fizik, por s’ka përdorur thikë. Personi që ka qëlluar me thikë të plagosurin dhe viktimën është vetëm Mario Prelleshaj, i cili vazhdon të qëndrojë ende në ambientet e spitaleve private. Policia ka dhënë versionin zyrtar, nuk bëhet fjalë për fshehje. Është prania e një personi të dytë, është marrë dëshmia e tij, por rezulton të mos jetë pjesëmarrës në veprën penale të vrasjes. Ndërsa në përleshjen fizike kanë qenë më shumë se tre të mitur, që janë marrë në pyetje në shoqërinë e psikologëve. Hetimet vazhdojnë të jenë të hapura. Nëse do ketë prova mund të kemin edhe përfshirjen e personave që prindërit i ka pjesë të sistemit të drejtësisë. Pengesa apo jo për zbardhjen e ngjarjes, policia dhe grupi hetimor thonë s’e s’ka patur. Deklarimet e babait të Luizit në media janë bërë pjesë e fashikullit hetimor. Arsyeja pse ai nuk kalon në paraburgim është se raporti mjekësor thotë që ka ende nevojë për një trajtim, por kjo s’mund ta shmangë transferimin e tij në paraburgimin e Kavajës. Vrasja e të miturit me paramendim ka një marzh dënimi nga 20 vite deri në burgim të përjetshëm”.



