Finalizohet operacioni i koduar “Gjeneralitetet”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.
Gjatë operacionit u zbulua një laborator i përshtatur për falsifikimin e dokumenteve të ndryshme, shërbime që dyshohet se ofroheshin kundrejt pagesave nga 3 mijë deri në 5 mijë euro.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë tre persona: H.M., 53 vjeç, dhe S.M., 24 vjeç, babë e bir, si dhe bashkëpunëtori i tyre E.V., 37 vjeç.
Sipas hetimeve, të arrestuarit kishin përshtatur një banesë në fshatin Rrushkull, Durrës, ku falsifikonin diploma, dokumente shkollore, certifikata, vërtetime gjyqësore dhe dokumente të ndryshme për aplikime në institucione.
Gjatë kontrollit të ambientit, policia sekuestroi 46 dokumente të dyshuara të falsifikuara, mes tyre dokumente shkollore, gjyqësore, certifikimi dhe aplikimesh, si dhe 2 vula të dyshuara false, 6 telefona celularë dhe 3 kompjuterë që dyshohet se përdoreshin për realizimin e aktivitetit kriminal.
Nga hetimet paraprake rezulton se banesa e dy shtetasve, babë e bir, ishte vënë në dispozicion të kësaj veprimtarie të paligjshme, ndërsa dokumentet e falsifikuara u ofroheshin personave të interesuar kundrejt përfitimeve financiare.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, si dhe për zbulimin e rasteve të tjera të mundshme të falsifikimit të dokumenteve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.



