
Një ngjarje e pazakontë është zbardhur nga policia në fshatin Marikaj, ku një 40-vjeçar u vetëplagos aksidentalisht me armë zjarri në banesën e tij dhe më pas inskenoi një atentat, me qëllim për të fshehur të vërtetën.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, shtetasi E. A. (M.), 40 vjeç, i cili fillimisht u paraqit në spital si viktimë e një atentati, ka rezultuar nga hetimet se është vetëplagosur aksidentalisht, duke përdorur një armë që e posedonte pa leje.
Pas plagosjes, 40-vjeçari ka qëlluar disa herë me armën për të simuluar një atentat të rremë pranë banesës së tij dhe ka hequr DVR-në e kamerës së sigurisë, për të fshehur provat.
Në vijim të veprimeve hetimore të drejtuara nga Prokuroria, është arrestuar edhe një tjetër shtetas, S. K., 43 vjeç, i cili e ka transportuar të plagosurin në spital, por ka fshehur të vërtetën, duke mos kallëzuar ngjarjen në polici.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit të përdorur në banesën e të plagosurit, ndërsa 40-vjeçari ndodhet ende në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Të dy personat tashmë janë nën arrest, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.



