Gazetari Xhevahir Zhabina nuk beson se do të ketë efekt apo sukses nisma për vetëpastrimin e Policisë së Shtetit, ku sot pati një urdhër nga drejtori Rrumbullaku për plotësimin e një formulari nga uniformat blu.
Duke folur në MCN TV Zhabina tha se nëse nuk do të ndiqet "nga një fazë e dytë, nisma do të jetë vetëm propagandë".
Sipas tij pastrimi në radhët e Policisë duhet të bëhet nga SPAK-u, ku sipas tij ka ardhur koha që të bëhet arrestimi i një zyrtari policor në detyrë.

"Është në vazhdën e urdhrave që s’do kenë ndonjë efekt në vetëpastrimin e Policisë, që ministër Balla, dhe drejtori i Policisë i kanë mëshuar shumë, që bëhet pas zbardhjes së telefonave enkro chat dhe Sky ecc. Nuk shoh ndonjë ndryshim të madh nga ky formular te ai që bëjnë efektivët kur duan t’u bashkohen strukturave të Policisë së Shtetit. Por duhet parë çfarë plani ka më tej. Nëse gjithë efektivët thonë jo, si do verifikohen informacionet, cilat do jenë institucionet që do përfshihen. Kur e sheh në pamje të parë nuk mendoj se do ketë një efekt në vetëpastrimin e Policisë. Këtë formular do detyrohen ta plotësojnë të gjithë punonjësit e policisë, ndërkohë që Vetingu ishte për drejtues madhor, për 400-500 punonjës. Në rastin konkret pikat janë disa. Duhet verifikuar nëse një punonjës policie është i dënuar apo nën hetim jashtë vendit. Pa një fazë tjetër, e gjithë kjo që ndodh në këto momente, është thjesht propagandë. Për AMP-në janë ngritur pikëpyetje të mëdha, ku kohët e fundit kemi parë që edhe drejtues të saj janë përfshirë në paligjshmëri. Lind diskutimi nëse AMP mund ta kryejë një verifikim të saktë. Procesi i Vetingut në Policinë e Shtetit dështoi. Pastrimin e Policisë së Shtetit ta bëjë SPAK-u me hetimin e dosjeve të ndryshme. Por edhe hetimet që janë të nisura për oficer të rëndësishëm të policisë, herë pas here dekonspirohen. Mendoj që është koha që SPAK të bëjë arrestimin e një zyrtari policor në detyrë”.



