Policia Rrugore vijon monitorimin me makinat inteligjente dhe radarë në rrugët e vendit, duke evidentuar dhe ndëshkuar drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara. Krahas shpejtësisë, policia bën të ditur se shoferët qarkullojnë edhe pa vendosur rripin e sigurimit apo duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit.
“Gjatë monitorimeve të zhvilluara në 24 orët e fundit, janë pezulluar 52 leje drejtimi, nga të cilat: 10 për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit, 42 për shpejtësi deri në 40 deri në 60 km/h mbi normën e lejuar, në akset rrugore Tiranë – Durrës – Fier – Vlorë”, njofton policia.
Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve janë evidentuar dhe ndëshkuar 1950 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. Janë arrestuar 8 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Duke marrë parasysh se fluksi i lëvizjeve është më i lartë në fundjavë, kryesisht në akset rrugore nacionale, si dhe nga shkeljet e konstatuara nga mjetet inteligjente, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë.
Në të gjitha akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet dhe monitorimet intensive duke përdorur makinat inteligjente, radarët automatikë, dronët, kamera, aparate fotografike, alkool-testues, dhe mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.



