
Ndihma e premtuar insitucionale për Luginën e Preshevës nga Shqipëria është finalizuar sot përmes disa ndihmave financiare të raportuara nga Ministria e Jashtme, për disa qendra kulturore dhe arsimore në këtë zonë të banuar më shqiptarë.
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, nëpërmjet një reagimi, bëri me dije se është vendosur mbështetja financiare për blerjen e pajisjeve për Qendrën Rinore në Bujanoc, ngritjen e Shkollës Digjitale në Preshevë dhe rindërtimin e godinës së Shkollës Fillore “Sami Frashëri” në fshatin Konçul.
Gjithashtu, sikurse thekson Cakaj mbështetja do të ofrohet edhe në pajisjen e plotë me literaturë të re në gjuhën shqipe për çdo grupmoshë në Preshevë, Bujanoc dhe për shkollat shqipe në Medvegjë.
Kryediplomati Cakaj nëpërmjet reagimit edhe një herë shprehu angazhimin e tij të plotë për vazhdimësinë e të gjithë projekteve të nevojshme për përmirësimin e jetesës së shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
“Ne tashmë vendosëm edhe dhënien e mbështetjes financiare për blerjen e pajisjeve të brendshme për Qendrën Rinore në Bujanoc, ngritjen e Shkollës Digjitale në Preshevë, rindërtimin e godinës së Shkollës Fillore “Sami Frashëri” në Konçulin historik dhe pajisjen e plotë me literaturë të re në gjuhën shqipe për të gjitha grupmoshat në biblotekën e Preshevës, Bujanocit dhe shkollat shqipe në Medvegjë. Puna jonë e përbashkët, natyrisht, vazhdon”, shprehet Cakaj në reagim.



