
Dy operacione të policisë së Tiranës të koduar “Camouflage 6” dhe “Camouflage 7”, kanë goditur dy raste të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Camouflage 6” u bë arrestimi në flagrancë i E. Xh., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A. L., 51 vjeç, banues në Tiranë.
Dy të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt shpërblimit monetar, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm, nga Devolli në Tiranë.
Më pas, pasi i strehonin emigrantët e paligjshëm në Tiranë, me ndihmën e personave të tjerë, kryenin transportin e tyre drejt Kukësit, me qëllim kalimin në Kosovë dhe më pas në vendet e BE-së.
Aktualisht po punohet për kapjen e shtetasit A. L., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Camouflage 7” u bë arrestimi në flagrancë i A. M., 51 vjeç, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
51-vjeçari , kundrejt shpërblimit monetar, kryente transportin e emigrantëve të paligjshëm, nga Devolli në Tiranë. Më pas, me ndihmën e personave të tjerë, kryente transportin e tyre drejt Kukësit, me qëllim kalimin në Kosovë dhe më pas në vendet e BE-së.
Aktualisht po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 9 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.



